Edi Rama nuk dorëzohet: Shumë shpejt satelitët do të jenë në orbitë

Deklarata e kryeministrit Rama në Parlament të enjten e kaluar se Shqipëria do të lëshojë në orbitë dy satelitë “Albania 1” dhe “Albania 2” ka nxitur reagime dhe komente të shumta në rrjet, ndërsa ironia dhe tallja nuk ka munguar nga ndjekësit.

Për të mbrojtur deklaratën totalisht të shkëputur nga realiteti në të cilin ndodhet populli shqiptar, Rama tha se satelitët “Albania 1” dhe “Albania 2” do të jenë në “orbitë dhe do të na bëjnë një punë më të madhe për të pasur një kontroll shumë më cilësor të territorit”. Por Km nuk foli as sot se kur do të nisë konkretisht ky ‘megaprojekt’.

Në një intervistë televizive ai u shpreh: Do të ndodhë shumë shpejt. E kam thënë seriozisht dhe më vjen keq për të gjithë ata që bëjnë kompetentin. Por mua më ka ndodhur gjithmonë me shumë gjëra që kam thënë që janë ngritur përqeshur, tallur e shpotitur. E kam thënë që ata që më qeshin për stadiumin do të vijnë aty te tribuna dhe ja ku është.